20Settembre2017

Si të veprohet pas moshës 19 - vjeçare (në Prefekturë)

Kur mbush 19 vjeç, i huaji i lindur në Itali që nuk ka paraqitur deklaratën e vullnetit në zyrat e Komunës, nuk mund të përfitojë shtetësinë italiane falë "përfitimit me ligj”, por do të duhet të ndjekë një procedurë tjetër. Në fakt kush e ka kapërcyer pragun e të 19-ave mund të aplikojnë për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi të rregullt sipas nenit 9, paragrafi 1, germa a) e Ligjit 91/92.
Kërkesa duhet të paraqitet pranë Prefekturës së vendbanimit duke plotësuar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në origjinal dhe fotokopje. Mbetet gjithnjë i nevojshëm kushti që të ketë lindur në Itali dhe duhen dëshmuar të ardhura të paktën rreth 8.500 € në vit, gjatë tre vjetëve të fundit përpara dorëzimit të kërkesës. Duhet mbajtur parasysh që të ardhurat në fjalë janë ato të  familjes ku bën pjesë kërkuesi. Pra, në qoftë se bëhet fjalë për një student, mjafton të dëshmohen të ardhurat e prindërve.

 


Dokumente që duhen paraqitur
1 . Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih faksimilin);
2. Pasaporta e vlefshme;
3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit (shih faksimile);
4. Leja e qëndrimit: në rast të ndërprerjeve në lejen e qëndrimit, kërkuesi mund të paraqesë dokumentacionin që vërteton praninë e tij në  Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore etj);
5. certifikata historike e rezidencës. Në rastin e regjistrimit të vonuar të fëmijës në një komunë italiane, duhet të dorëzohet dokumentacioni që dëshmon praninë e të miturit në Itali përpara regjistrimit të rregullt në komunë (p.sh. certifikata mjekësore).
Është në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kërkojë dokumentacion shtesë nëse është e sheh të nevojshme. Kërkesa i transmetohet personit të interesuar me letër rekomande të dërguar në adresën e banimit të dhënë në aplikimin për shtetësi. Në rast ndryshimi të vendbanimit  gjatë procedurës së shtetësisë, i interesuari e ka për detyrë t’ia komunikojë Prefekturës adresën e re, duke bashkangjitur një kopje të kuponit të paraqitjes së kërkesës ose kopje të letrës së protokolluar të kërkesës për të shmangur humbjen në postë.
Koha për shqyrtimin e kërkesës është 730 ditë. Në rast përgjigjeje pozitive, Prefektura i dërgon një njoftim personit brenda 90 ditëve nga marrja e dekretit të shtetësisë nga ana e Autoritetit përkatës. Pasi personi të ketë marrë dekretin, duhet të paraqitet në Komunën e vendbanimit, brenda 6 muajsh nga marrja e njoftimit, për të bërë betimin për besnikëri ndaj Republikës në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Shtetësinë (Ligji 91/1992). Pas skadimit të kësaj periudhe, dekreti e humb vlerën dhe personi duhet të paraqesë sërish kërkesë për shtetësi dhe të nxjerrë sërish të gjitha dokumentet.

Kujdes! Duhet mbajtur parasysh se disa shtete nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë. Është e këshillueshme të verifikohet pranë konsullatës përkatëse nëse marrja e shtetësisë italiane nuk shkakton humbjen e shtetësisë së origjinës.
Referimi normativ për realizimin e këtij udhëzuesi është Ligji nr. 91 i datës 5 shkurt 1992